Zyrtari gjerman: Reforma në drejtësi, parakusht për afrimin e Shqipërisë në BE

Zyrtari gjerman: Reforma në drejtësi, parakusht për afrimin e Shqipërisë në BE

13:04 16/09/2019

Sekretari gjerman i Shtetit, Christian Lange, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë, ka zhvilluar takime me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Në fokus të diskutimeve të tij ka qenë reforma në drejtësi, për të cilën thotë se është parakusht për përafrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Me vizitën time dhe bisedat që po zhvilloj në Shqipëri dëshiroj të krijoj një ide për gjendjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe transparent është themeli për çdo shtet të së drejtës dhe çdo demokraci. Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një proces unik në të gjithë rajonin, i cili tashmë ka arritur synime të rëndësishme dhe hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, e cila duhet të orientohet vetëm nga e drejta dhe ligji. Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën”, ka thënë Lange në një deklaratë për mediat të shpërndarë nga ambasada gjermane në Tiranë.

Sekretari gjerman i Shtetit thekson se është e rëndësishme që Gjykata e Larta, Gjykata Kushtetuese, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale.

“Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar. Gjermania mbështet me ekspertizë dhe resurse reformat në shumë fusha dhe do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen.
Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”
. /tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori