Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në Bashkimin Europian, Christian Danielsson është shprehur kundër bojkotit të Parlamentit nga opozita, e cila prej dy javësh ka djegur mandatet parlamentare.

Në një konferencë për shtyp pas takimit me Kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, Danielsson u shpreh se bojkoti i Parlamentit nuk është në qasjen e vendeve demokratike.

“Parlamenti është thelbësor, duhet që të luajë rolin e vet përgjegjësisht. Si rezultat, bojkoti i parlamentit është diçka që nuk është në përputhje me këtë qasje. Dhe kjo nuk çon në dialogun kaq shumë të domosdoshëm në demokraci

“, u shpreh zyrtari i BE.

I pyetur nga gazetarja e Tv Klan Elja Zotka, nëse gjatë takimeve që pati sot me Kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Basha u dhanë sinjale për një dialog mes tyre për zgjidhjen e krizës, z.Danielsson u shpreh:

“Jo, nuk është se dëgjova një gjë të tillë”.

Situatën politike në vend të krijuar pas djegies së mandateve të opozitës, Danielsson e konsideron një fatkeqësi për Shqipërinë dhe thotë se kjo do të pasqyrohet edhe në raportin e Komisionit Europian në muajin Qershor për negociatat me BE-në. Protestat e opozitës i vlerësoi të rëndësishme për demokracinë, ndërsa nga ana tjetër dënoi dhunën në këto protesta dhe çdo përpjekje që nxit akte të tilla.

“Është fatkeqësi që sot Shqipëria gjendet në kurth nga një pasiguri dhe mungesë stabiliteti politik. Sa i përket opozitës, kam theksuar që vendimni i anëtarëve të opozitës për të djegur në bllok mandatet minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Parlamenti është shtyllë e shtetit, është motori i çdo demokracie. Duhet të jetë vendi ku dallimet politike diskutohen. Kjo është arsyeja që unë mendova se duhet ritheksuar ajo thirrje që ky bojkot i Kuvendit është kundërproduktiv. E drejta për të protestuar është element i rëndësishëm i shoqërisë demokratike. Është e rëndësishme që këto protesta të jenë të paqshme. Nxitja e dhunës është një shqetësim i madh për ne. Ftesa që kam bërë sot është për restauruar një mjedis politik”

, u shpreh drejtori për Zgjerimin e BE. 

/tvklan.al