Banka Societe Generale i është shitur grupit hungarez “OTP Bank Nyrt”, duke marrë së fundi edhe miratimin zyrtar të përqendrimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.

Banka ka hyrë në një marrëveshje me grupin OTP për shitjen e degëve të saj në Shqipëri kundrejt një vlere prej 32.5 milionë eurosh që në muajin Gusht, ndërsa grupi hungarez ka njoftuar se synon zgjerimin edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Kjo nuk është tentativa e parë e grupit OTP për të hyrë në tregun bankar Shqiptar, pasi ka bërë oferta edhe gjatë privatizimeve të bankave shtetërore vite më parë.

Tashmë të gjithë depozitat dhe kreditë që klientët kanë pranë Societe Generele do t’i shkojnë në menaxhim bankës së re.

Societe Generale ka 6% të depozitave të shqiptarëve, 9% të stokut të kredive në vend dhe 426 punonjës.

Kjo është banka e katërt me kapital të Bashkimit Europian që po largohet nga tregu shqiptar. Banka franceze hyri në tregun tonë në  2007-n, përmes blerjes të shumicës së aksioneve të Bankës Popullore.

Tv Klan