Nisma dhe AKR mbeten jashtë parlamentit 

Pas më shumë se një muaji, KQZ-ja ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 Tetorit.

Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 26.15% të votave, LDK e dyta me 24.45, PDK 21.16, AAK-PSD 11.47, Lista Serbe 6.75 ndërsa Nisma AKR nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor, duke marrë 4.984 përqind të votave.

Përkthyer në deputetë, LVV-ja ka fituar 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 29, PDK 25, AAK 13 ndërsa PSD vetëm një deputet, derisa 20 vende janë për komunitetet.

Ndërsa kandidati më i votuar për kryeministër ishte Albin Kurti me 183 mijë e 868 vota, pasuar nga kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani e cila ka arritur të sigurojë 176 mijë e 188 vota. I treti ishte Kadri Veseli i PDK-së, i pasuar nga Ramush Haradinaj, ndërsa i fundit u rendit Fatmir Limaj nga koalicioni Nisma-AKR.

Pas rezultateve nga KQZ se nuk do të jetë deputet i legjislaturës së shtatë, Dardan Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga strukturat e PSD-së.

Ndërsa drejtues të koalicioni Nisma AKR kanë paralajmëruar ankesë për shkak se sipas tyre votat e ardhura nga Serbia në mënyrë jo legale e kanë dëmtuar këtë koalicion.

Sipas kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, këto janë rezultate të manipuluara që nuk e pasqyrojnë vullnetin e popullit të Kosovës.

“Përfshirja në numërimin e votave nga Serbia që janë dorëzuar në kundërshtim me ligjin dhe të cilat janë plotësuar kryesisht nga një person që përfaqëson Vuçiçin dhe Daçiçin në Kosovë është një skandal dhe një gabim historik”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Për certifikimin e këtyre rezultateve duhet pritur ankesat fillimisht në PZAP e më pas në Gjykatë Supreme procedurë kjo, e cila mund të zgjasë së paku tetë ditë.

Tv Klan