Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, u pyet për disa orë nga hetues të Prokurorisë së Posaçme këtë premte.

Ai u paraqit në SPAK në orën 9:30 të mëngjesit dhe doli prej andej nga ora 13:00.

Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka ka dhënë deklarime si person që ka dijeni mbi hetimet që po kryhen për tjetërsimin e pronave në fshatin Gjilekë në Dhërmi, përfituesi fundor i të cilave është ai si investitor strategjik, së bashku me një kompani tjetër.

Në dalje nga SPAK, Gaçi nuk dha asnjë koment për mediat.

Për këto hetime është vënë në pranga kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke çuar në tjetërsimin e dy pronave, tjetërsim që krijoi hapësirën të shiteshin te palë të treta.

Nën hetim për të njëjtën dosje janë edhe 4 persona të tjerë, mes tyre një ish-vartës i Goros, dy ish-zyrtarë të ASHK Vlorë dhe një qytetar.

Për të njëjtën çështje Partia Demokratike ka kërkuar heqjen e mandatit të ish-ministres Xhaçka, nën pretendimin se ka votuar në qeveri për t’i dhënë kompanisë së bashkëshortit të saj statusin e investitorit strategjik, pretendim që ish-ministrja e ka rrëzuar, duke thënë se nuk kishte marrë pjesë në një votim të tillë.

Kuvendi e rrëzoi kërkesën e demokratëve, të cilët i janë drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan