Situata e përgjithshme pozitive e ekonomisë në vend mbështetur nga konsumi në rritje ka forcuar besimin në ekonomi me një rritje prej 6.6 pikësh krahasuar me një muaj më parë. Ky tregues raportohet nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit sektorët me pritje optimiste janë biznesi, industria, shërbimet, tregtia e konsumatorët.

Sipas Bankës së Shqipërisë rritjen më të lartë e kanë shënuar tregtia dhe shërbimet, kjo si rezultat i pritjeve pozitive të sektorit të turizmit dhe konsumit në rritje si pasojë e rritjes së pagave dhe uljes së papunësisë. Për tregtinë rritja është 9.3 pikë përqindje dhe vjen si rezultat i rënies së çmimeve, ndërkohë që kërkesa e lartë për shërbime e ka rritur besimin me 8.2 pikë.

Sektori i vetëm që ka patur një tërheqje në besim ka qenë ndërtimi me një rënie të lehtë prej 0.7 pikë përqindje ndikuar nga aktiviteti aktual ndërtues. Banka e Shqipërisë raportoi më herët se bankat pritet të shtrëngojnë kushtet aprovuese për blerjet e banesave, financimi i së cilave zë 67% të totalit të kredisë.

Tv Klan