Presidenti francez Emmanuel Macron kthen sërish në vëmendje mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake tokësore të aleatëve perëndimorë në Ukrainë. Një ide që për Rusinë është një vijë e kuqe, që nëse kapërcehet do të bëjë të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore.

Në një intervistë për revistën prestigjioze The Economist, shefi i Elizesë tha se “nuk përjashtonte asnjë mundësi, pasi Europa po përballej – sipas tij – me dikë që po ashtu nuk përjashton asgjë.”

Macron shprehet se nëse Rusia ka vendosur të shkojë më tej, atëherë edhe aleatët duhet të shqyrtojnë çdo mundësi, ndër të cilët ndonëse nuk e përmendi, as nuk e përjashtoi dërgimin e trupave tokësore. Për presidentin e Francës, nëse Rusia fiton në Ukrainë, në Europë nuk do të kishte më siguri.

Deklarata të tilla, të shprehura edhe më herët nga Macroni, sillen sërish prej tij në vëmendje pasi disa analistë kanë paralajmëruar se Rusia është në prag të nisjes së një sulmi të madh në Ukrainë, që pritet të përparojë përtej 5 rajoneve të aneksuara, ndoshta për të shtënë në zotërim gjithë vendin e për të rrëzuar presidentin dhe qeverinë pro-perëndimore.

Tv Klan