Atalanta mori një barazim me vlerë në fushën e Marseille. Rezultati i gjysmëfinales së parë të Europa League ishte 1 – 1 me Berat Gjimshitin, i cili u paraqit në formën e duhur, perfekt në ndërhyrjet e tij, duke marrë sëbashku me Ederson notën më të lartë në ekip, 7. Gjithsesi kapiteni i Kombëtares tha pas ndeshjes se duhet të korrigjojnë gabimet në sfidën e kthimit në Bergamo për të siguruar finalen.

“Donim të bënim ndeshjen tonë edhe pse nuk arritëm ta realizonim sërish. Bëmë disa gabime që duhet t’i korrigjojmë në takimin tjetër. Kundërshtari luajti mirë në sulm, por e rëndësishme është që barazuam dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër”, tha ai.

Në gjysmëfinalen tjetër Bayer Leverkusen mundi 2 – 0 Roma në stadiumin “Olimpico”. Kjo ishte ndeshja e 47 radhazi e skuadrës gjermane pa humbje. Në Conference League pati fitore jashtë fushe për Olympiacos, 4 – 2 ndaj Aston Villa. Fiorentina mundi 3 – 2 Club Brugge. Ndeshjet e kthimit ku do të vendosen finalistët e këtij sezoni do të luhen të enjten e ardhshme.

Tv Klan