Berat Buzhala, gazetari nga Kosova ka postuar një video në trajtë monologu ku flet për SPAK-un dhe pretendon që korrupsioni është i paluftueshëm dhe se tradicionalisht, që nga koha e Ismail Qemalit ka patur akuza për korrupsion në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Buzhala thotë se e mbështet punën e SPAK, por nuk duhet të persekutohet individi, por të hetohet vepra e korrupsionit. Gjatë fjalës së tij, Buzhala thotë se momenti kur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur në dyert e SPAK dhe aty e kanë pritur persona të cilët i janë drejtuar me fjalën “hajdut” është sipas tij, i shpifur dhe kjo psikozë e tillë dhe nuk i duhet shtetit shqiptar.

Berat Buzhala: Është një parim në drejtësi, nuk guxon me ndjekë personin dhe jo veprën. Problemi i SPAK është kur ndjek personin e persekuton, kur ti ndjek veprën… Persekutimi është kur dikush thotë po hetojmë Ilir Metën, nuk është ndjekje penale. Ti heton autostradën kush ka vjedhë dhe jo hajdemi futemi, Erion Veliajn e kemi nën hetime. Unë jam kundër Erion Veliajt, nuk e mbroj me asnjë kusht. Por edhe ajo pamje është e shpifur duke i bërtitur “hajn” prej distancës. Psikozë e tillë nuk e di pse i duhet shtetit shqiptar.

Blendi Fevziu: Teza e parë e juaja është se edhe njerëzit që nuk kanë bërë korrupsion të drejtpërdrejtë, ti thua askush nuk mund të dalë në Shqipëri që të thotë se i ka dhënë bakshish Berishës për një gjë e as Ramës, por sistemi poshtë tyre ka qenë.

Berat Buzhala: Unë nuk e paramendoj kurrë Berisha, “jepmi 15% për rrugë”. Kam biznesmenë të Kosovës që ju kanë dhënë lejet për resortet turistike, ata bëjnë be në kokën e Edi Ramës, “na priti mirë e nuk na kërkoi asgjë”. Unë e mbështes punën e SPAK dhe arrestimet, por jo psikozën. Kur unë fola për intervistën e Dumanit, është mirë që ai të përgjigjet. Po teprohet se vetëm 2 prokurorë nuk mund t’i hetojnë të gjithë.

Më tej, gazetari Buzhala thotë se korrupsioni në Shqipëri është i pandalshëm teksa shton se nuk zhduket vetëm me një njeri, me kreun e SPAK, Altin Dumanit.

Berat Buzhala: Korrupsioni është i pazhdukshëm, por mbahet nën kontroll sepse ideja që kemi për ta zhdukur korrupsionin me një akt, Altin Dumanin, nuk zhduket dhe nuk luftohet vetëm me një njeri. Këtu prej vëllait të Edi Ramës, djalit të Sali Berishës, Ilir Metës me familje dhe me vjehërr e me krejt kushërinjtë ku i ka dhe ku nuk i ka, krejt Kuvendi i Shqipërisë po hetohet nga Altin Dumani. A ka kapacitete ai njeri për të hetuar të gjithë këtë spektër? Kush ka për ta qeverisur Shqipërinë kur të arrestohen të gjithë këta njerëz? Asgjë nuk lind pa korrupsion. Faza e dytë pas korrupsionit është diktatura./tvklan.al