Koalicioni Shqiptar Pro Familjes ka dorëzuar kërkesë për seancë dëgjimore pranë Ministrise së Shëndetësisë për Projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” që është hedhur për konsultim publik. Ky koalicion shprehet se deri më tani nuk ka patur asnjë dëgjesë me këtë institucion.

Linda Pano, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes: Kemi ardhur të dorëzojmë një kërkesë për seancë dëgjimore. Ju jeni njohur me pr/ligjin për riprodhimin dhe shëndetin seksual dhe është thënë nga  ministria e Shëndetësisë që ka pasur dëgjesa publike, por në fakt nuk ka pasur asnjë dëgjesë publike deri tani. Ideja është që vajzat e vogla 16-vjeçare lejohen të abortojnë pa dijeninë e prindërve. Përveç kësaj ky ligj e bën Shqipërinë një parajsë të vërtetë për surrogacinë dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes shprehet se vendi ynë nuk është gati për surrogacinë dhe ndryshimet sa i përket moshës së abortit.

Linda Pano, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes: Shqipëria nuk është një tokë që është gati për ligje të tilla. Unë do ju bëja thirrje të gjithë ligjvënësve që të mos marrin copy paste dhe të kopjojnë ligje të vendeve të tjera dhe të përpiqen që t’i  adoptojnë në Shqipëri. Ne do të donim që të kishim një dëgjesë publike mes specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe një grupi prej 50 personash që janë specialistë në fusha të ndryshme.

Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” do të jetë për konsultim publik deri më 12 Maj dhe deri me tani ka patur mjaft zëra kundër për këtë draft, siç janë edhe Komunitetet e Besimeve Fetare të vendit.

Klan News