Përmirësimi i klimës së të bërit biznes në vendin tonë ka rritur me të paktën 14.3% numrin e sipërmarrjeve të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë. Të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit bëjnë të ditur se përgjatë 12 muajve të vitit 2023 janë regjistruar 4125 biznese të reja nga të cilat 914 prej tyre ose 22.16% e totalit janë me kapital të huaj.

Nëse shohim vendet nga kanë origjinë këta zotërues të shoqërive të themeluara në vitin 2023, Italia qëndron në vendin e parë me 386 shoqëri ose 9.36% e totalit me mbi 39% të totalit të kapitalit të themeluar, pasuar nga Turqia me 94 shoqëri, Kosova 79 dhe Gjermania me 34. Në vend nuk mungojnë as shoqëri të vendeve më të largëta si Siri, Bangladesh, Kuvajt, Jemen etj.

Sa i takon kapitalit të investuar në vlerë reale, Banka e Shqipërisë raporton se Holanda është vendi me fluksin më të lartë të IHD-ve për vitin 2023, 300 milionë Euro, e ndjekur nga Italia me 203 milionë Euro dhe Turqia me 179 milionë Euro.

Gjatë vitit 2023, sektori më tërheqës për IHD-të vazhdon të jetë Aktivitete të Pasurive të Paluajtshme, Industria Nxjerrëse dhe Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit.

Tv Klan