Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë arrin në përfundimin se çmimet e qirave në kryeqytet janë shtrenjtuar. Duke iu referuar agjentëve të tregut, Banka Qëndrore vëren se kjo situatë vjen si pasojë e kërkesës së lartë të individëve për qiramarrje.

Nga ana tjetër, vrojtimi tregon se indeksi i çmimit të banesave në rang vendi, përfshirë edhe Tiranën, ra me përkatësisht 7.6% dhe 10.1% në terma gjashtëmujorë, por mbeten rreth 3.2% mbi nivelin e një viti më parë.

Kërkesa nga jorezidentët mbetet e pranishme dhe ka ardhur në rritje me 26 për qind në krahasim me periudhat e kaluara, ku 2/3 e blerjeve janë nga shtetas evropianë.

Shitjet raportohen me rritje në krahasim me dy gjashtëmujorët e mëparshëm, ndërkohë që numri i pronave të pashitura ka rënë. Për kryeqytetin, koha e shitjes është shkurtuar me 2 muaj, ndërkohë që në rrethe dhe zonat bregdetare ndërtuesit raportojnë se për shitjet kërkohet një periudhë më e gjatë.

Blerja e pronave nga shqiptarët vijon të financohet nga kredia bankare, e cila zë 67% të kredisë së përgjithshme për individët, ku dominon ajo në monedhën lek. Pesha relative e këtij portofoli gjatë 5 vjetëve të fundit është rritur nga 50% në 62%.

Tv Klan