“Kam dorëzuar një kallëzim ku kërkoj rihapjen e procedimit të pezulluar 335/1 të vitit 2016 që është dosja e Xibrakës”, kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi kur është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me akuzat që demokrati ka hedhur në drejtim të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama.

Bardhi ka thënë se nuk është ai kallëzuesi i dosjes së “Xibrakës”, por policia dhe prokuroria e Hanoverit teksa ka nxjerrë për emisionin “Opinion” në Tv Klan edhe mandatin e postës për kërkesën që thotë se ka depozituar në SPAK.

Blendi Fevziu: Dua të ju pyes për një çështje që mbeti pezull nga emisioni i kaluar, ku ju keni qenë këtu për një denoncim për vëllain e kryeministrit. Thatë që do e çonit çështjen në SPAK. I jeni përgjigjur gazetarit Baton Haxhiu që ka qenë këtu duke i thënë që “menjëherë nesër do e çoj me postë”, ndërkohë që SPAK ka deklaruar se nuk ka asnjë kallëzim tuajin për Olsi Ramën.

Gazment Bardhi: Në fakt nuk ka një përgjigje të asaj natyre të SPAK. Atë që kam thënë, e kam bërë në datën 29, e kam konfirmimin nga SPAK që e kam marrë në dorëzim në datën 2 Prill.

Blendi Fevziu: A e ke këtë letër që ta nxjerr unë këtu?

Gazment Bardhi: Patjetër. Është me postë, nuk e kam me vete. Patjetër, do e sjell. Mund ta konfirmoni dhe me SPAK. Ajo që ka thënë SPAK nuk është se Gazment Bardhi nuk i është drejtuar SPAK-ut, ajo që thotë prokurori në vendim është që nuk ka një kallëzim të Gazment Bardhit të regjistruar në regjistrin e veprave penale. Ajo që kam thënë dhe kam bërë sepse interesi i Ramës dhe Ols Ramës do të ishte që unë të kërkoja nisjen e një procedimi të ri penal. Në fakt, ajo që kam bërë është që kam dorëzuar një kallëzim ku kërkoj rihapjen e procedimit të pezulluar 335/1 të vitit 2016 që është dosja e Xibrakës. Dokumenti është publik.

Blendi Fevziu: Pse SPAK pretendon që nuk ka një kallëzim nga ana juaj?

Gazment Bardhi: Ajo që SPAK ka pretenduar është që nuk ka një kallëzim të regjistruar në regjistrin e veprave penale që është faza paraprake për të hapur një kallëzim penal. Në çështjen e Xibrakës nuk është kallëzues Gazment Bardhi. Nuk e kam kallëzuar unë laboratorin e Xibrakës. Ky është mandati që është dorëzuar në postë. 29 Mars, e nesërmja e emisionit “Opinion”. Kam kërkuar rihapjen e procedimit 335/1. Nuk jam unë krijuesi i çështjes. Në rastin e Xibrakës nuk është Bardhi kallëzues, por policia dhe prokuroria e Hanoverit. Kam për detyrë që atë informacion që bëj publik në media, ta depozitoj në SPAK.

/tvklan.al