Ndryshe nga netët e mëparshme ku Gjeorgjia u përfshi nga kaosi dhe dhuna, këtë herë demonstruesit bllokuan Sheshin e Heronjve ku kalon një numër i madh makinash, nën një protestë paqësore. Protestuesit mbanin në duar flamuj dhe slogane për të ndalur miratimin e këtij projektligji.

“Ne kemi protestuar për këtë ligj që nga viti 2023. Ne kemi qenë atje dhe jemi sot këtu për fat të keq. Por ne do të jemi këtu derisa ligji të bjerë, sepse ne e dimë se cilat janë vlerat evropiane dhe ne zgjedhim Evropën. Kështu që ne nuk do të dorëzohemi kurrë”.

BE dhe SHBA-ja dënuan legjislacionin  mbi “agjentët e huaj” duke argumentuar se kjo dëmton lirinë e fjalës si dhe ambiciet e Gjeorgjisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Projektligji do të kërkonte që organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si agjentë të ndikimit të huaj, një kërkesë që kundërshtarët e sulmojnë si autoritare dhe të frymëzuar nga Kremlini.

Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane thotë se ligji është i nevojshëm për të siguruar transparencë. Turmat e njerëzve kanë protestuar çdo natë për javë të tëra jashtë parlamentit në Tbilisi për anulimin e këtij projektligji. Një numër liderësh evropianë kanë paralajmëruar se ligji i propozuar është i papajtueshëm me normat dhe vlerat evropiane, por qeveria e kryeministrit gjeorgjian Irakli Kobakhidze po qëndron e palëkundur deri në miratimin e plotë të tij.

Klan News