Stina e verës është më afër se kurrë dhe për ata që nuk kanë planifikuar asgjë ende ka shumë mundësi për të zgjedhur dhe pa shpenzuar shumë para. Kështu nis artikullin e përditshmja italiane “Solo Finanzia”, e cila rekomandon të zgjidhet dhe eksplorohet Shqipëria. Pa shpenzuar shumë para udhëtarët italianë mund të shijojnë pushime komode në vendin tonë.

Vendi ynë një destinacion  trend edhe sezonin e kaluar turistik ofron për udhëtarët diell, det të kristaltë, plazhe që të lënë pa frymë dhe shumë shërbime të tjera me kosto dukshëm më të ulëta se ato që ofrohen në shtetin fqinj përtej Adriatikut.

Saranda, një qytet i bukur bregdetar ofron hotele ku udhëtarët mund të akomodohen me çmime mjaft të lira. Hotelet në  këtë qytet elitar të turizmit ofrojnë dhoma të mëdha, komode dhe ideale si për çifte ashtu edhe për grupe turistësh.

Koha më e mirë për të vizituar vendin tonë, sipas medias italiane, është fundi i majit deri në fund të shtatorit. Për bukuritë  natyrore por edhe çmimet e përballueshme  turistët italianë zgjodhën Shqipërinë për të pushuar dhe me shumë gjasa edhe  ketë vit do të ndodhë po njësoj.

Klan News