Teksa bëhet një vit nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Edi Rama thotë se ajo ka një rëndësi të madhe për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Marrëveshja si dhe Aneksi i Zbatimit të saj duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Sipas tij, vonesat për të bërë këtë forcojnë status quo-në, e cila nuk i shërben sigurisë së vetë Europës.

“Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit të Evropës të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton thjesht që Marrëveshja të jetë ligjërisht e detyrueshme.  Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.  Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në.  Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”, shkruan Rama./tvklan.al