netanjahuNata mes të hënës dhe të martës ka qënë ndër të vështirat në Rripin e Gazës për shkak të bombardimeve intensive të forcave izraelite.

Ndër objektivat e sulmeve ka qënë edhe centrali i vetëm i prodhimit të energjisë, i cili ka dalë jashtë funksionit tërësisht për shkak të dëmtimeve të rënda dhe djegies së sasive të mëdha të karburantit që ndodheshin në depozitat përreth tij.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se operacioni ushtarak ndaj organizatës militante Hamas mund të zgjasë për një kohë të pacaktur. Ai tha se shkatërrimi i sistemit të tuneleve që kjo lëvizje përdor për t’u infiltruar nga Rripi i Gazës është prioritet absolut.

Vetëm në 24 orët e fundit nga bombardimet numri i viktimave ka qënë më i madh se 110 palestinezë, ndërsa mendohet se në këtë shifër ka edhe disa punonjës palestinezë të kampeve që menaxhon OKB. Mes objektivave të sulmeve të fundit ka qënë edhe banesa e boshatisur e ish-kryeministrit dhe eksponentit të lartë të Hamasit, Ismail Hanije, një stacion radio-televiziv të Organizatës, si dhe një qendër trajnimi që përdorej nga organet e sigurisë në Gaza.

Bilanci që prej 8 korrikut ka kaluar të 1120 palestinezët e vrarë, mes të cilëve rreth 300 janë fëmijë dhe mbi 6500 të tjerë numërohen të plagosurit.

190 mijë persona të tjerë janë shpallur aktualisht refugjatë. Së fundi, Izraeli u ka kërkuar 400 mijë palestinezëve nëpërmjet mesazheve të posaçme telefonike të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre, pasi zonat ku ata banojnë janë objekt i bombardimeve. Ndërsa, nga pala izraelite, bilanci i luftimeve flet për 53 ushtarë të vrarë, 10 prej të cilëve vetëm në 24 orët e fundit dhe 3 civilë.

TV KLAN