Në takimin e Komitetit të Përbashkët merr pjesë dhe Kosova

Marrëveshja mes Britanisë dhe Shqipërisë për luftën kundër emigracionit të paligjshëm ka dhënë rezultate pozitive. Ky vlerësim u dha nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë të Komitetit të Përbashkët në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, ku e pranishme ishte dhe Kosova.

“Rezultatet e deritanishme janë të mira, nuk hezitoj t’i quaj të jashtëzakonshme. Në bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese britanike, për vitin 2023 kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë. Për vitin 2024, kemi kryer deri tani 9 operacione me 1108 shtetas të riatdhesuar”.

Ata sipas Ballës janë ndaluar për motive nga më të ndryshmet, si: qëndrim ilegal; kultivim të bimëve narkotike; refuzim azili; falsifikim dokumentacioni; vjedhje apo vepra të tjera kriminale. Balla ndërkohë kërkoi që shteti shqiptar të njihet dhe me vendimet e gjykatave britanike.

“Vendimet e gjykatave britanike për shtetasit tanë atje, janë esenciale dhe ndikojnë cilësinë e produktit të punës”.

Koordinatori Special i qeverisë britanike për Emigracionin e Paligjshëm, Stuart Skeates u shpreh për zgjerimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeve.

“Nuk do të jetë vetëm emigracioni ilegal, por do të jetë një rast për të forcuar marrëdhëniet bilaterale, si mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, por edhe mes Shqipërisë e Kosovës. Është një marrëdhënie strategjike shumë e rëndësishme, jo vetëm në fushën e krimit të organizuar por gjithashtu në zona të përgjithshme të sigurisë dhe mbrojtjes në përgjithësi”, tha Skeates.

Marrëveshje për riatdhesimin e shqiptarëve që hynë ilegalisht në Britaninë e Madhe u firmos mes kryeministrave Edi Rama dhe britanikut Rishi Sunak në dhjetor të vitit 2022.

Tv Klan