vaksinaOrganizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se 2 vaksina të reja kundër Ebolës mund të jenë gati për vendet e prekura në Afrikën Perëndimore në muajin janar të 2015.

Njëra prej tyre është prodhuar nga një prej kompanive më të fuqishme farmaceutike të botës, ndërsa tjetra nga Agjencia kanadeze e Shëndetit Publik.

Testimet e këtyre vaksinave janë në fazë të avancuar dhe pritet që brenda dhjetorit të këtij viti të japin rezultate shpresëdhënëse, për t’u dërguar më pas në terren.

Gjithsesi, OBSH është treguar e matur teksa ka njoftuar se vetëm në fund të 2015 mund të arrihet në prodhimin masiv të këtyre medikamenteve për të vaksinuar popullatën.

Ndërkaq, hartës së vendeve të prekura nga ky virus vdekjeprurës i është shtuar Mali, ku një vajzë 2-vjeçare është testuar pozitiv për Ebolan. Ajo kishte pak kohë që ishte kthyer nga Guineja – me të cilën Mali ka një kufi të gjatë tokësor, ndërsa është një nga vendet më të prekura nga sëmundja në Afrikën Perëndimore.

Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet e qytetit dhe shtetit të Nju Jorkut konfirmuan se një mjek që kishte punuar në Guine është testuar, gjithashtu, pozitiv. Doktori 33-vjeçar Kreig Spensër kishte punuar për organizatën humanitare “Mjekët pa Kufinj”.

Ai ishte kthyer në atdhe më 17 tetor, duke kaluar tranzit nga një vend europian. Mjeku po mbahet i izoluar në një prej spitaleve të Nju Jorkut, ndërsa 3 persona me të cilët kishte patur kontakt më shpesh, janë vendosur në karantinë.

Autoritetet thanë se nuk asnjë vend për panik, pavarësisht se mjeku kishte përdorur transportin publik. Por shtuan, se janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm të përhapjes së virusit.

Tv Klan