Një 20-vjeçar është marrë peng në mes të sheshit “Skënderbej” këtë të hënë në Tiranë.

Ka qenë vetë i riu që ka denoncuar rastin në polici duke thënë se pasi e morën peng tre persona ushtruan dhunë mbi të.

Për këtë arsye në pranga janë vënë dy persona ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për “heqje të paligjshme të lirisë”.

Në pranga është vendosur edhe një 28-vjeçar, por për moskallëzim krimi. Sipas uniformave blu gjithçka ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Si rezultat u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”; u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin “Skënderbej”, një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici”, njoftuan uniformat blu./tvklan.al