Ashtu siç kishte deklaruar më herët, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi “u drejtoi gishtin” anëtarëve të komisionit të Reformës Zgjedhore për dështimin e punës në 22 muaj. Ai theksoi se pas këtij komisioni pa rezultat, fshihet një pazar.

“Sa i takon reformës zgjedhore, rikthehuni pak diskutimeve që kemi bërë në Korrik e Shtator të 2023-it, kemi kërkuar të mbajnë përgjegjësi ata që për turpin e tyre, për dembelizmin e tyre, e bllokuan për dy vite Reformën Zgjedhore dhe kishte absolutisht një pazar të qartë që në limitet e kohës për zghjedhjet e ardhshme mos t’u ofronin shqiptarëve atë që ata vërtet presin. Presin zgjedhje të lira dhe të ndershme, presin që votën e tyre mos ta deformojë krimi i organizuar apo paratë e korrupsionit. Ky është qëllimi dhe objektivi që duhet të kishte ky Kuvend, duke reflektuar një më një çdo rekomandim të OSBE/ODIHR-it. Nuk i kemi thirrur kot të na asistojnë gjatë proceseve zgjedhore. Në skadim të këtij komisioni të turpshëm që për 22 muaj nuk u zhvillua asnjë mbledhje dhe bënë sikur punuan, sot duhet t’i mbajë përgjegjës nga i pari tek i fundit për dështimin e Reformës Zgjedhore”, tha Bardhi në Kuvend./tvklan.al