Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes dhe Ministria e Financave kanë firmosur këtë të martë një urdhër për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve, të cilët përbëjnë rrezik të lartë në përdorimin e lirë nga qytetarët.

Në këtë urdhër përcaktohen masat dhe hapat që do të ndërmerren për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të kapsollave, shashkave dhe fishekzjarrëve, që në jo pak raste kanë shkaktuar lëndime gjatë natës së ndërrimit të viteve.

Artikujt që do të ndalohen janë ato që kërkojnë qëndrimin në një distancë nga 5 në 8 metra nga njerëzit, si dhe ato më të fuqishmet që kërkojnë qëndrimin mbi 25 metra larg.

Në urdhër përcaktohen edhe rastet kur do të lejohen këto produkte, si festat kombëtare apo lokale të organizuara nga institucionet publike, evente festive, ose në rast festash familjare dhe në të gjitha rastet do të lejohen vetëm pas vënies në dijeni të Komisariatit të Policisë, që mbulon zonën.

Institucionet përkatëse do të ngrenë një Task Forcë, e cila do të ushtrojë kontrolle për verifikimin e kushteve në linjat e prodhimit dhe të magazinimit të subjekteve të licencuara për këto produkte.

Tv Klan