Prokurorët rusë kanë ngritur zyrtarisht akuza penale ndaj 4 autorëve të sulmit terrorist të së premtes, ku u vranë 137 persona dhe u plagosën më shumë se 180 të tjerë. Ata akuzohen për kryerjen e akteve të terrorit, duke rrezikuar dënime maksimale deri burgime të përjetshme.

Të katërt duken të keqtrajtuar nga autoritetet ruse që pas arrestimit të shtunën, në një pyll pranë kufirit me Ukrainën teksa përpiqeshin të kalonin kufirin. Në sallën e gjyqit u shfaqën me hematoma në fytyrë, njëri u soll me karrige me rrota, ndërsa një tjetri iu pre veshi kur u kap nga agjentët rusë në kufi.

Shtetasit nga Taxhikistani pranuan autorësinë e sulmit terrorit, duke thënë se ishin kontaktuar nga persona të panjohur përmes rrjeteve sociale për të kryer sulmin, për të cilin do të shpërbleheshin.

Deri më tani Moska dyshon se pas kësaj ngjarjeje fshihet Ukraina, ndërsa presidenti Putin paralajmëroi kundërpërgjigje të ashpër nëse kjo vërtetohet.

Ukraina e mohoi kategorikisht përfshirjen në ngjarjen që u mor përsipër nga Shtetit Islamik, një pistë që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Këtë e mbështeti edhe Presidenti francez Emanuel Macron, i cili tha se i njëjti grup është përpjekur të godasë këto kohë edhe Francën.

Tv Klan