Gjermania ka vënë nën hetim mbi 400 policë për shkak të pikëpamjeve të ekstremit të djathtë. Sipas një raporti për publikuar në median gjermane “Stern”, numri aktual i rasteve besohet të jetë më i lartë pasi disa shtete të ndryshme në Gjermani nuk mund të jepnin numra të përditësuar.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ka një përpjekje të qëllimshme nga ekstremistët e krahut të djathtë për të destabilizuar forcat e policisë, duke paraqitur një kërcënim më të madh se kurrë më parë.

Herbert Reul, Ministri i Brendshëm i Rhein-Westfalisë së Veriut, theksoi rëndësinë e sigurimit që oficerët e policisë të mbështesin vlerat kushtetuese dhe të mos demonstrojnë ideologji ekstremiste. Ai i cilësoi oficerët që nuk u përmbahen këtyre parimeve si një kërcënim për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke deklaruar se individë të tillë nuk duhet të jenë pjesë e forcës policore.

Hetimet për ekstremistët e mundshëm brenda radhëve të autoriteteve të sigurisë në nivel federal dhe shtetëror kanë vijuar prej vitesh. Ministria Federale e Brendshme kishte publikuar më parë një raport të situatës në vitin 2022, duke zbuluar se 327 punonjës ishin identifikuar brenda tre viteve me lidhje me ekstremizmin e krahut të djathtë.

Njëra prej këtyre lëvizjeve është edhe Reichsbürger e cila në dhjetor të 2022 u zbulua se kishte plane për të rrëzuar qeverinë gjermane kur policia kreu bastisje dhe arrestoi 25 nga gjithsej 52 komplotistët e dyshuar.

Thuhej se grupi kishte planifikuar, ndër të tjera, të sulmonte parlamentin në Berlin, furnizimin me energji të vendit dhe të rrëzonte qeverinë federale në mënyrë që ajo të merrte pushtetin.

Klan News