Inteligjenca Artificiale duket se nuk ka kursyer as yjet e muzikës në mbrëmjen e Met Gala. Imazhet e Katy Perry dhe të Rihanna në tapetin e kuq janë bërë gjerësisht virale në rrjetet sociale. Por këngëtarja me famë botërore me anë të një postimi në rrjetin e saj social Instagram ndan dy imazhe duke i cilësuar ato false, pasi në fakt këngëtarja nuk ka qenë pjesë e mbrëmjes gala për shkak të angazhimeve të tjera.

“Nuk mund të shkoja në MET, duhet të punoja,” ka shkruar bashkangjitur fotove të shpërndara këngëtarja Katy Perry.

Në fotot e qarkulluara kryesisht në rrjetin social “X” duket se ajo ka qenë pjesë e festës me një fustan lulesh me zbukurime myshku, e cila ka marrë rreth 13 milionë klikime. Fotoja u postua për herë të parë në fillimin e eventit në tapetin e kuq në Muzeun e Artit Modern në New York me mbishkrimin: “Katy Perry! Kjo është ajo!”

Pasi u pa që këngëtarja nuk ishte pjesë e MET, fansat e pranuan se ishin mashtruar nga inteligjenca artificiale nga ku dhe kanë reaguar në profilet e tyre në rrjete sociale.

“Unë vërtetë e ripostova këtë duke besuar se ishte e vërtetë,” tha një fans.

“Prisni, është krijuar nga AI?! Unë u mashtrova,” ka shkruar një tjetër.

Por pre e Inteligjencës Artificiale duket se është bërë edhe e ëma e Katy Perry. Lajmin komik e ka ndarë vetë këngëtarja me fansat e saj, duke bërë publike bisedën me mamanë e saj.

“Lol mam Inteligjenca Artificiale të kapi edhe ty! KUJDES!”, ka shkruar Perry në mesazh.

Një tjetër imazh i këngëtares me Inteligjencë Artificiale, këtë herë e veshur me një fustan me korse floriri në tapetin e kuq, është bërë gjithashtu virale me mbi 5 milionë shikime. Veshja ishte e përshtatshme me temën e vitit 2024, Kopshti i Kohës, një histori e shkurtër për një kont dhe konteshë që këpusin lule që ndryshojnë kohën./tvklan.al