Aksidentet automobilistike përgjakin sërish rrugët e vendit.

Dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura në akset rrugore Tepelenë-Gjirokastër, Lushnje-Fier dhe Fier-Vlorë.

Një person ende i paidentifikuar është aksidentuar për vdekje nga autobusi i linjës, Vlorë-Athinë, gjatë orëve të mbrëmjes në superstradën Gjirokastër-Tepelenë.

Shtetasi, i cili mendohet të jetë rreth 45 vjeç, i ka prerë rrugën autobusit duke mbetur i vdekur në vend.

Sipas policisë shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e tej normave të autobusit, ndërkohë që mendohet se viktima mund të ketë qenë në gjendje të dehur.

Pak orë më parë në aksin rrugor Lushnjë-Fier në vendin e quajtur Konjat një 21-vjeçare nga Tirana humbi jetën dhe tre persona të tjerë u plagosën si pasojë e daljes nga rruga të automjetit, me të cilin ata udhëtonin.

Katër të aksidentuarit, Entela Milaku, 21 vjeç, Elda Kaleshi, 20 vjeç, Ilia Kaleshi, 28 vjeç dhe Arillaq Kaleshi, 35 vjeç, janë dërguar për mjekim në spitalin e Lushnjës.

21-vjeçarja, Binjaku, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital për shkak të dëmtimit të organeve të brendshme.

Pak minuta më vonë një tjetër aksident ka ndodhur në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit” në aksin e rrugës nacionale, Levan-Novoselë.

Dy mjete tip Benz janë përplasur me njëri-tjetrin. Si rezultat Arjola Muoka, 26 vjeç, dhe Eva Totila, 23, të dyja nga Gramshi, si dhe Kujtim Hoxha, drejtuesi i automjetit janë plagosur./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle