Një dhjetë vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, në spitalin Regina Margherita të Torinos, pas një aksidenti rrugor të ndodhur në Vilafaleto, ndërmjet qyteteve të Saluxo dhe Manta.

I mituri udhëtonte me të atin, nënën dhe motrën e tij shtatë vjeç, kur u përfshinë në aksident, jo shumë larg nga kazermat e zjarrfikësve. Mjeti me të cilin udhëtonte familja shqiptare mësohet se ka pësuar dëme të mëdha në pjesën e përparme. Ata u përplasën me një tjetër makinë, në rrethana ende të paqarta.

Sipas mediave italiane, nga kjo përplasje kanë mbetur gjashtë të lënduar. Në gjendje më të rëndë është fëmija, për të cilën është nevojitur edhe transporti me helikopter në Torino pranë spitalit të traumës.

Anëtarët e tjerë të familjes kanë marrë plagë më të lehta dhe janë dërguar në spitalin e Savilianos. Ndërkohë që në automjetin tjetër me të cilin ndodhi përplasja ndodhej një çift të martuarish dhe mësohet se gruaja të ketë qenë shtatzënë, por gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Indentiteti i personave të përfshirë në këtë aksident nuk bëhet ende të ditur./tvklan.al