Kryeministri i Kosovës nuk e quan vazhdim të dialogut

Të martën do të mbahet takimi mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë, Kurti-Vuçiç do të mbahet më 15 Qershor në Bruksel.

“Mund të njoftoj se raundi tjetër i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet të martën e ardhshme më 15 qershor, ku do të takohen Presidenti Aleksander Vuçiç dhe Kryeministri Albin Kurti. Këto takime do të ndërmjetësohen nga kryediplomati Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak”.

Ndonëse Kryeministri Albin Kurti këtë nuk e ka quajtur si vazhdim të dialogut por takim zyrtar me Vuçiçin për të parë pikëpamjet e njëri tjetrit për dialogun.

BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme për të cilat është arritur pajtim.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij presin nga të dyja palët një përkushim të vazhduar për t’u angazhuar në këtë dialog dhe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet. Kjo nënkupton që gjithçka për të cilën është arritur pajtim duhet të zbatohet. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin që institucionet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta kapin mundësinë për ta dërguar këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit me Vuçiçn, të dy janë takuar vetëm në takime të tjera të përbashkëta me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tv Klan