Qeveria dhe opozita duhet të gjejnë konsensusin e duhur për të përgatitur në kohë infrastrukturën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është apeli i ambasadorëve të Gjermanisë dhe Austrisë në Tiranë pas raporteve të fundit kritike të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës. Edhe pse brenda kostumit diplomatik ambasadorët tërheqin vëmendjen në shpejtimin e reformave në vend në mënyrë që procesi i asocim stabilizimit të mos gjejë pengesa. I pyetur nga Televisioni Klan për formulën që duhet të ketë Komisioni Qendror Zgjedhor. Amabasadori austriak shprehet:
Ambasadori austriak: “Komisioni Qendror Zgjedhor luan një rol kyç në mbarëvajtjen e procesit elektoral dhe kjo ndodh jo vetëm në vendin tuaj. Unë shpresoj se qeveria dhe opozita do ta gjejnë formulën e duhur në një kohë që kam dëgjuar shumë diskutime ku bëhet fjalë për një rikompozim të këtij institucioni.”
Në të njëjtën linjë ambasadori gjerman në Tiranë Hans Peter Hahn thekson se Bashkimi Evropian pret nga autoritetet shqiptare progres të dukshëm në rrugën e reformave jo vetëm atë elektorale, por edhe në fushën ligjore, ekonomi dhe mbrojtjen e mjedisit.
Hans Peter Hahn: “Duhet të kuptoni se koha po ikën me shpejtësi dhe ka një rëndësi të veçantë të shihet se sa do të arrinë autoritetet dhe opozita të koordinojnë veprimet për një proces zgjedhor normal. Për sa i përket pyetjes suaj për një formulë rreth ndërtimit të Komisionit Qendror Zgjedhor kjo përgjegjësi u mbetet në dorë politikanëve shqiptarë.”
Në këtë mënyrë ndërkombëtarët e akredituar në Tiranë janë në pritje të realizimit të detyrimeve që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të procesit të integrimit. Në raportet e fundit kritike nuk kanë pak dorë edhe njerëzit që e monitorojnë Tiranën zyrtare nga rruga e ambasadave. /tvklan.al