pentagoniUshtria amerikane tentoi disa herë javët e fundit të shpëtojë personat e marrë peng nga ultraradikalët e Shtetit Islamik në Siri, përfshirë edhe reporterin e ekzekutuar një ditë më parë James Foley.

Por këto operacione, të kryera në mënyrë sekrete dështuan pasi nuk arritën të gjenin vendndodhjen e pengjeve.

Këtë e bëri të ditur vetë Pentagoni përmes një deklarate zyrtare, sipas të cilës trupat speciale të ushtrisë amerikane u hodhën me parashuta në territorin sirian.

Sipas Pentagonit, pati edhe beteja të armatosura mes tyre dhe militantëve të Shtetit Islamik, ku mbetën të vrarë një numër i madh i tyre. Në rradhët e amerikanëve nuk pati asnjë viktimë.

E teksa video e prerjes së kokës së reporterit amerikan nga një xhihadist në Siri ka shokuar opinionin publik mbarëbotëror, shërbimi sekret britanik është vënë në lëvizje për të zbuluar se kush është ekzekutuesi i veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar që flet rrjedhshëm anglishten në dialektin londinez.

Mediat britanike citojnë një ish – peng i këtij grupi, i cili thotë se personi në fjalë është pjesëtar i një grupi xhihadistësh londinezë të njohur si “Bitëllsat”. Dyshime hidhen se emri i tij mund të jetë John dhe është një operativ i lartë i Shtetit Islamik.

Agjentët britanikë thonë se janë pranë zbulimit të identitetit të tij. Aktualisht po analizohet video dhe shpresojnë që përmes programeve të sofistikuara të zërit të identifikojnë xhihadistin londinez.

Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë kryeministrin David Cameron të veprojë sa më shpejt, pasi Shteti Islamik mund të ndërmarrë të tjera krime makabre si ai i një dite më parë, e madje të veprojë edhe në Londër.

Të mërkurën presidenti amerikan Barack Obama reagoi për ngjarjen, përmes një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë. Për Obamën, akti i dhunshëm ishte një shok për ndërgjegjjen e gjithë botës. Ai tha se Shteti Islamik në Irak e Siri është një kancer që s’ka vend në shekullin e XXI.

Tv Klan