Carlo Ancelotti shprehet se te Real Madridi ka një atmosferë mjaft të mirë dhe ekipi është gati për të përballuar me sukses sfidën në kampionatin ndaj Real Sociedad e më pas gjysmëfinalen e parë në Champions ndaj Bayern Mynihu-t.

Los Blancos u duhen edhe 7 pikë për të fituar titullin kampion, ndërsa të martën në Mynih do të sfidojnë rekordmenët gjermanë.

Italiani tha në konferencën për shtyp përpara sfidës në La Liga mbrëmjen e së premtes në transfertë se lojtarët e tij janë të kënaqur dhe po kërkojnë ta përfundojnë sezonin me rezultate maksimale.

“Momentalisht ne kemi ndjenja mjaft të mira! Gjithçka që ndodh rreth nesh nuk na ndikon aspak. Jemi shumë të kënaqur, shumë të lumtur! Kemi entuziazmin për ta përfunduar këtë sezon në mënyrë fantastike. Objektivi është shumë i qartë sepse na duhen 7 pikë për të fituar matematikisht La Liga-n. Ne e dimë se është gjithmonë e vështirë të luash kundër Real Sociedad, por ne do të përpiqemi të japim më të mirën.”

Italiani u shpreh se vendimi i trajnerit të Barcelonës Xavi Hernandez për të qëndruar në klub është i duhuri.

Spanjolli njoftoi të mërkurën se e ka anuluar vendimin e tij për t’u larguar në fund të sezonit nga “blaugranët”, e se do të qëndrojë në stolin katalanas edhe për vitin futbollistik 2024-2025.

Klan News