Shkurtime masive të pensioneve, rritje e taksave nga çamçakëzi deri tek pronat dhe arkat greke megjithatë janë bosh.

Grekët i detyrohen shtetit të tyre aktualisht rreth 87 miliardë euro taksa të papaguara. Kjo e dhënë del prej analizave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shkruhet në një shkrim të faqes “Deutsche Welle”.

Media gjermane citon të përditshmen e Athinës, “Kathimerini”, e cila shkruan se kohët e fundit mjaft punonjës civilë kanë kërkuar dalje të parakohshme në pension, për t’u shpëtuar kështu shkurtimeve të planifikuara të pensioneve në kuadrin e reformave të qeverisë Tsipras.

“Deri tani janë paraqitur rreth 40.000 kërkesa të tilla dhe deri në fund të vitit, numri mund të shkojë deri në 80.000”, shkruan “Kathimerini”. Qeveria greke ka rënë dakord në negociatat me kreditorët për një lloj klauzole mbrojtëse për pensionet ekzistuese dhe shkurtimet e pensioneve do të hyjnë në fuqi vitet e ardhshme.

Niveli i taksave të papaguara në Greqi përbën një rekord evropian: grekët, sipas raportit, kanë paguar nga 100 euro detyrime tatimesh vetëm 45 euro – një vlerë kjo e cila që nga fillimi i krizës në vitin 2010, po bie në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse shumë taksa janë rritur.

Sa rreth gjysma e prodhimit aktual të ekonomisë

87 miliardë euro korrespondojnë me rreth gjysmën e prodhimit aktual të ekonomisë greke. Por përmasat e detyrimeve tatimore kanë shkaqe të tjera, thuhet në raport, sepse rrethi vicioz i mos shlyerjes së detyrimeve tatimore nuk lidhet vetëm me evazionin fiskal. Edhe autoritetet tatimore greke vazhdojnë të jenë joefikase në mbledhjen e taksave. Gjithashtu, shumë njerëz thjesht nuk kanë më para për të paguar detyrimet e tyre tatimore.

FMN-ja kërkon të mbështesë me të dhënat e publikuara qëndrimin e saj që Greqia nuk mund të ngrihet dhe të ecë përsëri në këmbët e saj, pa një falje të borxheve, shkruan “Katimerini”.

Një hap i tillë, prej të cilit kreditorët do të humbisnin një pjesë të parave që i kanë dhënë Greqisë hua, nuk është deri tani pjesë e marrëveshjeve./tvklan.al