Huazimi te Fulham i Armando Brojës ka lënë shije të hidhur tek Chelsea. Blutë e Londrës nuk janë të kënaqur aspak me situatën e sulmuesit shqiptar, që nuk bën pjesë në planet e skuadrës së Marco Silva. Moment që ka shtyrë të reflektojë drejtuesit e Chelsea, tashmë të gatshëm për të hequr dorë përfundimisht nga 22-vjeçari.

Diçka që e bëjnë të ditur mediat angleze, me Brojën që shihet i sakrifikuari i londinezëve në merkaton e verës. Vlera e kartonit të sulmuesit shqiptar është në rënie, fakt që nuk pëlqehet aspak në Londër. Gjithsesi, kjo situatë shihet me mjaft interes te skuadra tjetër e qytetit, West Ham. David Moyes e ka konsideruar shpesh sulmuesin si opsion ideal për skuadrën e tij.

Chelsea shpreson të përfitojë jo pak nga kjo lëvizje, me Brojën që parashikohet të sjellë të paktën 30 milionë Euro në arkat e klubit. Por, shifra mund të rritet duke parë se gjithçka do të bëhet pas kampionatit Europian.

Broja është opsion për tu përfshirë në listën e kombëtares shqiptare nga trajneri Sylvinho për turneun që do të mbahet në Gjermani nga 14 Qershori deri më 14 Korrik. Kompeticioni është një ekskluzivitet i TV Klan, teksa nëse thirret, Broja do të ketë mundësi për të treguar vlerat ndaj rivalëve më të fortë të kontinentit, si Italia, Kroacia dhe Spanja.

Klan News