Tubacioni i Shën Mërisë që furnizon thuajse 1/3 e kryeqyteti me ujë , tashmë ka një armaturë të re mbrojtëse. Punimet e kryera nga Bashkia e Tiranës, synojnë shmangien e dëmtimeve të herëpashershme tw këtij tubacioni.

Filmimet e inspektimit të këtij investimi nga ana e kryebashkiakut Erion Veliaj u dërguan për mediat nga zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës.

“Ky është një burim nga Shën Mëria që me tubacione sjell 600-800 litra ujë / sekondë për Tiranën, do të thotë që furnizon me ujë 1/3 e Tiranës. Ishte shumë e rëndësishme që të ndërtonim këto diga duke lartësuar tubacionin. Po bëjmë investime që nuk janë bërë prej fillimit të viteve ’60. Sigurisht që nuk rikuperojmë dot gjithçka që nuk është prekur me dorë që nga vitet ’60, por besoj se po tregojmë që kemi një vëmendje kryesisht për çështjet që janë emergjente, siç është uji i pijshëm në Tiranë”

Teksa ka premtuar që shumë shpejte një pjesë e Tiranës, do të ketë ujë 24 orë, kryebashkiaku ka kërkuar që edhe qytetarët të bashkëpunojnë duke paguar faturat dhe mos shpërdoruar ujin.

Linja e tubacionit së Shën Mërisë përbën një nga linjat furnizuese më të hershme të ujësjellësit të Tiranës, me një gjatësi rreth 15 kilometra./ TV KLAN