Tashmë që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk është më deputet, Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka në dorë dosjen e tij nuk ka nevojë të kërkojë autorizim nga Kuvendi për ndalimin apo arrestimin e tij. Me provat e paraqitura deri në këtë momente organi i akuzës e ka të pamundur të kërkojë një masë tjetër sigurie për ish-ministrin për shkak se kërkesa iu rrëzua nga Kuvendi, 6 muaj më parë dhe më pas, për këtë ka edhe një vendim gjykate që e lë atë të lirë.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se vetëm nëse do të sigurohen prova të reja, ky organ do ti drejtohet gjykatës për të legjitimuar kërkesën për arrestim ndaj Tahirit. Aktualisht grupi i hetuesve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë duke shqyrtuar disa letër-porosi të mbërritura së fundmi nga Italia dhe Greqia për këtë çështje.

Janë kryesisht të dhëna të Prokurorisë së Katanias e cila hetoi grupin Habilaj në përgjimet e të cilëve përmendej ish-ministri. Të njëjtat burime shtuan se shumë shpejt Saimir Tahiri mund të thirret për tu pyetur nga Krimet e Rënda në cilësinë e personit nën hetim. Sipas të njëjtave burime kjo mund të ndodhë edhe javën e ardhshme.

Dëshmia e Tahirit do të vijë fill pas pyetjes së truprojës së tij dhe disa personave nga Gjormi i Vlorës, fshat i Nazer Seitit. 41-vjeçari konsiderohet një nga njerëzit më të rëndësishëm të grupit të Habilajve dhe aktualisht ndodhet ne Itali, ku u ekstradua 4 muaj më parë.

Tv Klan