lojeratZyrtarë dhe inspektorë të Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve, punonjës të njësisë së Lojërave të Fatit, të arrestuar ditët e fundit për shpërdorim detyre, e kishin kthyer në biznes përfitimi aktivitetin e tyre shtetëror.

Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se, nëpunësit e këtyre dy drejtorive shfrytëzonin njohje me persona të veçantë, të cilët i njoftonin për kontrollet “e befasishme” në mënyrë që këta të fundit, të merrnin masat për të mbyllur bizneset e tyre derisa të përfundonte kontrolli.

Po ashtu, nga hetimi rezulton se të akuzuarit, merrnin edhe “sugjerime” nga persona të tretë, nëse duhet të kryenin kontrolle në subjekte të ndryshme tregtare dhe si duhet të silleshin.

Prokuroria ka konstatuar raste të ndryshme, kur “sugjeruesit” i kërkonin inspektorëve tatimore që të “groposin biznese të caktuara”, të cilat mund të ishin rivale ose që nuk kishin pranuar “të respektonin” inspektorët.

Tatimorët kryenin inspektime fiktive duke plotësuar procesverbalët pa ushtruar kontrolle. Në disa raste ata kryenin kontrolle, por pa evidentuar shkeljet në biznese.

Edhe inspektorët e njësisë së lojërave të fatit bënin thuajse të njëjtën gjë. Veç kontrolleve fiktive dhe selektive, ata nuk sekuestronin makineritë e  lojërave fatit të paliçensuara ose sekuestronin makineri të prishura, për të “justifikuar” kontrollin.

Aktiviteti i jashtëligjshëm i tyre shtrihej në zona të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Tropojë, Malësi e Madhe, Velipojë, Laç e Lezhë etj.

Tv Klan