LAJM I PËRDITËSUAR | Dem Backa, 57 vjeç nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Ai mbeti i plagosur rëndë në një atentat të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune, në afërsi të një qendre tregtare në Fier.

Backa dyshohet se u qëllua nga një automjet në lëvizje nga persona ende të paidentifikuar. Viktima po shkonte drejt makinës së tij Audi të parkuar, kur u qëllua nga të paktën dy persona. Rreth 30 minuta pas ngjarjes, në afërsi të fshatit Daullas u gjet një makinë Benz në flakë, e cila dyshohet se u përdor nga autorët.

Viktima është një biznesmen i njohur në qytetin e Fierit, pronar i disa lokaleve. Shkaqet e këtij atentati mbeten të paqarta. Dyshimet e para lidhen me problemet në biznes, por nuk përjashtohen edhe ato familjare. Sipas burimeve nuk raportohet që viktima të ketë qenë me precedentë të mëparshëm penalë. Dem Back njihej edhe me emrin Adem dhe ishte baba i dy fëmijëve.

E gjithë ngjarja ndodhi në një kohë kur në zonë kishte qytetarë të shumtë. Ishin pikërisht këta të fundit që njoftuan autoritetet për të shtënat me armë.

Nga vendi i ngjarjes, dëshmitarë i thanë gazetares së Klan News, Anila Sefa, se autorët qëlluan të paktën 15 herë në drejtim të 57-vjeçarit me breshëri automatiku. Ai mbeti fillimisht i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spital ku dhe ndërroi jetë pak kohë më pas.

Fier/Informacion paraprak

“Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit. Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit. Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”.