Moti në Evropë po sjell surpriza. Një mjegull portokalli pluhuri nga shkretëtira e Saharasë ka mbuluar pjesë të ndryshme të Greqisë, duke dhuruar një pamje spektakolare.

Videot dhe imazhet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë qytetarët në Athinë duke vëzhguar mjegullën nga kodrat pranë kryeqytetit grek.

Retë e pluhurit që lëvizin nga Afrika veriore drejt Greqisë dhe rajoneve të tjera është një fenomen që ndodh herë pas here, duke bërë që qytetarët të kenë shikueshmëri të kufizuar dhe shpesh të përballen me probleme me frymëmarrjen.

Por teksa Athina u ngjyros në portokalli, Finlanda u zbardh. Më shumë se 20 centimetra dëborë ranë në pjesën më të madhe në jug të Finlandës ndërsa reshje më intensive të dëborës ka patur në Helsinki.

Dëbora e vonë e pranverës shkaktoi disa ndalesa të transportit publik, ku i gjithë rrjeti i tramvajit u mbyll për disa orë përpara se të rifillonte pasdite. Pati edhe anulime dhe vonesa fluturimesh në aeroportin e Helsinkit.

Në jugperëndim të vendit pati disa aksidente rrugore megjithëse nuk ka patur lëndime serioze në njerëz.

Klan News