Zyrtarët turq dënuan fuqishëm sulmin vdekjeprurës terrorist në Vjenë dhe shprehën solidaritet me popullin austriak, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Terrorizmi është armiku i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Kërkohet një bashkëpunim i sinqertë ndërkombëtar kundër kësaj murtaje”, u shpreh ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu në Twitter.

Përpos kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë dënoi sulmin terrorist përmes një kumtese.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm, u shprehim ngushëllimet tona familjeve të atyre që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

“Ne jemi të pikëlluar me lajmin se ka të vdekur dhe të plagosur si rezultat i sulmit terrorist që ndodhi në Vjenë. Si një vend që ka luftuar kundër të gjitha llojeve të terrorizmit për dekada, Turqia solidarizohet me popullin austriak”, thuhet gjithashtu në kumtesë.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, gjithashtu dënoi sulmin dhe shprehu solidaritet me Austrinë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin terrorist në Vjenë. Ne shprehim ngushëllimet tona për ata që humbën jetën në këtë sulm frikacak dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit. Ne solidarizohemi me Austrinë. Do të vazhdojmë të luftojmë kundër të gjitha formave të terrorizmit”, shkroi Kalın në Twitter.

Kreu i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, gjithashtu dënoi sulmin.

“Turqia qëndron me Austrinë dhe kundër terrorizmit. Ne ndajmë dhimbjen tuaj”, shkroi Altun në Twitter.

Në sulmin e mbrëmshëm terrorist në Vjenë humbën jetën të paktën 3 persona dhe 15 të tjerë u plagosën.

“Sulmuesi ishte simpatizant i grupit terrorist DEASH”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer.

Ai shtoi se të paktën një i dyshuar tjetër është ende në arrati dhe u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë brenda dhe larg vendeve publike./AA