Lajme Arkiva 2003

Rasti i Ruzhdi Qinamit babait që ekzekutoi para disa muajsh të bijën është një nga çështjet që ka krijuar debat jo vetëm për një politik të gabuar ndëshkimi nga ana e gjykatës.

Tani bëhet fjalë për një prind që ka një precedent të rënd dhe që pas disa muajsh do të rikthehet në shtëpi nëse Apeli lë në fuqi të njëjtin vendim për të rritur tre fëmijë të tjerë.

Ne u interesuam nëse ligjërisht një prind e gëzon të drejtën e kujdestarisë për të miturit nëse ka kryer një krim e aq më tepër brenda në familje. Avokati Taulant Maçe shpjegon se kodi i familjes, parashikon heqjen e të drejtës së kujdestarisë prindërore në raste të tillë.

“Neni 76 të kodit të vjetër të familjes thotë, kur prindi shpërdoron të drejtën prindërorë, ose tregon pakujdesi të rëndë në ushtrimin e saj, ose veprime të tjera, ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijëve. Me kërkesën e prindit tjetër, ose të këshillit të kujdestarisë, prokurorit, i hiqet e drejta prindërore. Kjo heqje e të drejtës prindërore do të bëhet me vendim të gjykatës ku si i paditur do të thërritet prindi i të cilit kërkohet heqja e të drejtës prindërore”.

Por Ruzhdi Qinami nuk është denoncuar nga familjarët e tij, madje vet policia pranon se nëna e viktimës dhe familjarët e tjerë nuk e kanë denoncuar krimin ku ata kanë qenë dëshmitar, duke favorizuar kështu autorin e vrasjes.

Këta të fundit nuk pritet të kërkojnë heqjen e kujdestarisë së Qinamit ndaj fëmijëve, ndërsa prokuroria e cila mund të ndërmerrte këtë hap nuk e ka bërë këtë.

Procesi ndaj këtij të pandehuri vë përball përgjegjësisë dy fishe autoritetet e drejtësisë për dënimin e ulët ndaj një krimi te rëndë dhe për faktin se tre të mitur tani do të edukohen nga i njëjti prind i cili u dha shembullin e një krimi të paparë./tvklan.al