“Kushdo që godet punonjësin e policisë ka goditur shtetin dhe do të marrë ndëshkimin e merituar.”

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla, lidhur me zhvillimet në protestën e fundt të opozitës përballë Bashkisë së Tiranës ku një bombë molotov rrezikoi jetën e efektivëve të policisë.

Ajo që ka ndodhur në oborrin pranë Bashkisë së Tiranës, ku është tentuar goditja e punonjësve të policisë, dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me gjithkënd që ende mendon se në Shqipëri mund të goditet një punonjës policie: do ta konsideroja si rastin e fundit që policia nuk bën kallëzimin e duhur penal, por çdo tentativë për të goditur një punonjës policie është një tentativë për të goditur shtetin. Kodi Penal e ka të përcaktuar qartë se çfarë dënimi meriton ai që godet punonjësit e policies.”

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se debatet të zgjidhen si qytetarë dhe jo duke i rrezikuar jetën të tjerëve.

“Ftesa për të gjithë ata që kanë debate politike për të bërë është: mund t’i bëjmë fare mirë këto debate pa rrezikuar jetën e askujt; as të punonjësve të bashkisë, që punojnë aty prej kohës së Sali Kelmendit dhe Albert Brojkës, as të Policisë së Shtetit, që pavarësisht kush është në qeveri apo bashki, do të jetë gjithmonë me uniformë për të shërbyer. Le t’i zgjidhim debatet tona si qytetarë. Nuk e djeg njeri policinë e vendit të tij nëse ka një debat për të bërë me dikë nga përfaqësuesit e politikës.”

Këto deklarata u bënë gjatë firmosjes së marrëveshjes mes Policisë Bashkiake të Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme për sigurinë në qytet. Falë kësaj marrëveshje, Policia e Shtetit do të kalojë të gjithë informacionet, imazhet dhe videot në kohë reale nga sistemi i kamerave, policisë bashkiake për të identifikuar shkelësit e Kodit Rrugor.

Tv Klan