Në Njësinë Administrative të Shënkollit në Bashkinë e Lezhës, po investohet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do të transformojë totalisht situatën e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e zonës, duke mbuluar njëkohësisht edhe një pjesë të rëndësishme të zonës bregdetare.

Zëvendëskryministrja, Belinda Balluku e cila inspektoi nga afër punimet u shpreh se reforma në ujësjellës reduktoi humbjet dhe rriti arkëtimet me 120%.

Belinda Balluku: Uji, i cili ne e quajmë ujë pa të ardhura, si humbje të përgjithshme teknike nga 75 është ulur në 66%, por thjesht krahasimisht ‘23-‘24. Ndryshim kaq i madh në përqindje me të vërtetë është për t’u lavdëruar. Nga ana tjetër, kemi parë që ka pasur dhe një rritje të rëndësishme përsa i përket mbledhjes së të ardhurave. Kanë arritur në 120% dhe ne e shpjegojmë gjithmonë që çfarë është 120%. Është dhe ai 20% që ne mbledhim nga çfarë ka mbetur nga vitet e kaluara, pra përveçse janë likuiduar të gjitha faturat e konsumuara gjatë këtij viti kemi mbledhur dhe debitet e vitit të shkuar. Ka qenë 85% në 2023”

Duke shprehur falënderimet për investimin që po realizohet, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh se ky investim pritet të aksesojë gjithë vijën bregdetare në zonë.

Pjerin Ndreu: Kemi të bëjmë me një nga zonat më turistike të Lezhës, është zona e Tales dhe akseson të gjithë bregun e detit kryesisht ky investim dhe normalisht përmirëson shumë cilësinë e pushimeve, por edhe të jetesës të banorëve.

Ujësjellësi i Shënkollit ka realizuar 80% të punimeve dhe pritet të jetë në funksion të plotë në fillim të vitit të ardhshëm.

Tv Klan