Kukësi dhe Laçi u ndanë në barazimin më të padëshiruar për të dyja skuadrat. Rastet nuk munguan, volumi i lojës dhe spektakli po ashtu, veçanërisht paraqitja e dy portierëve që mohuan gola të sigurtë. Gentian Selmani i Laçit u tregua një gardian i vertëtë pasi sot kishte vendosur të ulte qepenin e portës së tij. Loja ishte e balancuar pasi asnjë prej skuadrave nuk e kishte luksin të rrezikonte një humbje.

Që në fillimin e pjesës së dytë, Kukësi krijoi mundësi shënimi, por Selmani ishte aty për të mohuar golin e verilindorëve. Ky nuk ishte rasti i vetëm që kapiteni laçian ndali goditjet e kuksianëve. Sfida e luajtur në stadiumin e Kamzës shënoi edhe rastin e parë të dhunës për këtë vit në stadiumet shqiptare. Anësori i takimit Denis Rexha u godit me sende të forta nga tifozëria kuksiane.

Ndeshja u ndërpre për pak minuta por më pas çdo gjë u përqëndrua në fushën e lojës. Skuadrat ndanë nga një pikë në këtë takim. Rëndësi më të madhe merr për Laçin që tenton të futet në zonën europiane. Për Kukësin ishte një mohim i mundësisë për të qëndruar në ritmin e Partizanit kryesues që tashmë gjendet 5 pikë larg. Të kuqtë mundën Skënderbeun në Korçë 1-0, si dhe humbën një penallti me Bruno Telushin.

Tv Klan