Gjykata e Tiranës shtyu për në datën 30 Prill shqyrtimin e kërkesës së depozituar nga grupimi i Gazment Bardhit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar të Partisë Demokratike.

Përfaqësuesit ligjorë të grupimit Berisha-Bardhi ritheksuan vullnetin e Këshillit Kombëtar të 27 Korrikut që autorizoi një grup deputetësh t’i drejtoheshin kësaj gjykate, duke mos e njohur si kryetar Lulzim Bashën.

“Lulzim Basha nuk është kryetar i PD dhe nuk mundet që drejtimi i PD, legjitimitet i forcës opozitare në vend, të varet nga një vërtetim që merret me 200 Lekë”, tha Marash Logu, përfaqësues i grupimit Berisha-Bardhi.

Kjo kërkesë është e paligjshme për përfaqësuesin ligjor te Lulzim Bashës, ndonëse gjykata pritet të shprehet në seancën e 30 Prillit edhe për legjitimitetin ose jo të tij, si palë në proces.

“Përfaqësimi i organeve të partisë ndaj të tretëve bëhet  nga kryetari i Partisë. Asnjë organ tjetër, përfshirë këtu edhe Kuvendin Kombëtar nuk mund të përfaqësojë partinë ndaj të tretëve”, tha Rezart Kthupi, përfaqësues ligjor i Lulzim Bashës.

Deri në mbajtjen e seancës, togat e zeza do të kërkojnë administrimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, që e ktheu për rigjykim në Apel çështjen e Partisë Demokratike, pas vendimit të dhënë nga gjyqtari Zhukri, që njohu Sali Berishën si kryetar të kësaj force politike.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike në 27 Korrik të vitit të kaluar autorizoi deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS-it për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata.

Tv Klan