Banorët e fshatit Cellopek në Maqedoninë e Veriut, nga i cili kishte prejardhjen xhihadisti Kujtim Fejzullai, kanë shprehur mosbesimin e tyre për ngjarjen që ka ndodhur në Vjenë, duke thënë se mund të flasin vetëm gjëra të mira për Kujtimin dhe familjen e tij.

Kujtim Fejzullai 20-vjeçar, pas sulmit terrorist të së hënës në kryeqytetin austriak ku la të vrarë 4 persona, u vra nga policia. Familja e tij më herët jetonte në një fshat të vogël malor, duke lëvizur për në Austri në vitet 2000.

“Unë e njoh familjen e tij dhe këtu të gjithë flasin mirë për ata,” u shpreh kleriku islamik i fshatit Nuri Ganiu, për agjencinë Reuters.

Fejzulai ka lindur në Vjenë dhe mbante dy kombësi, atë austriake dhe atë të Maqedonisë Veriore.

Mbetet akoma e paqartë nëse dikush tjetër ishte i përfshirë në kryerjen apo përgatitjen e sulmit përveç tij, por policia austriake ka bërë 14 arrestime në 18 bastisje të realizuara që nga e hëna në mbrëmje.

Maqedonia e Veriut ka një popullsi prej 2 milionë njerëz me shumicë ortodokse dhe myslimanë kryesisht me etni shqiptare që zënë rreth 35 përqind të popullsisë së përgjithshme të vendit.

Deri tani autoritetet në vend kanë vlerësuar se afro 150 maqedonas, kanë luftuar së bashku me grupet islamike në Siri dhe Irak. Po ashtu, janë rreth 13 persona, përfshirë një klerik mysliman të cilët janë burgosur në vitet e fundit për luftime së bashku me militantët islamikë në Siri dhe rekrutimin e luftëtarëve të rinj./tvklan.al