Prishja e 71 banesave përgjatë bregut të Lanës në afërsi të Maternitetit të ri, është shoqëruar me konflikte mes banorëve dhe policisë bashkiake. Edhe pse janë njoftuar 2 javë më parë për këtë vendim, pronarët e banesave nuk kanë pranuar të dalin nga shtëpitë e tyre. Kjo ka bërë që policia bashkiake i ka nxjerrë ata me dhunë, duke i shoqëruar disa prej tyre në komisariat. Nënkryetari i bashkisë Eduart Shalsi është përballur me disa prej banorëve duke ju komunikuar vetë vendimin e pa kthyeshëm për prishjen e banesave të tyre.

Eduart Shalsi: “Këtu është projekti i rrugës, pra ajo Lana deri tek ura e re do të vazhdojë më tej, do të vazhdojë të ngjitet akoma më sipër. Çdo lloj ndërtimi i pa ligjshëm, që cenon ndërtimin e një rruge kaq të rëndësishme që nesër do jetë i arterie do të prishet. Do të mundohemi që të krijojmë të gjitha lehtësirat duke afruar bonuse qiraje”.

Nga ana tjetër banorët kanë kërkuar një zgjidhje të problemit të tyre. Ndërsa 11 gra kanë hyre prej 2 ditësh në grevë urie.

Qytetarja: “Kërkojmë pronat tona të ligjshme dhe për këtë greva jonë do të ketë.. do të shkojë deri në fund”.

Qytetarja: “Greva jonë nuk ka afat, deri sa bashkia ose qeveria ça mund të themi të na kthejë përgjigje për kërkesat që kemi bërë”.

Qytetarja: “Për herën e parë që erdhën ma shembën shtëpinë edhe kam dalë tashi i kam hallakat kalamajtë gjithë andej nga fisi. Ku të shkoj unë tani”.

Qytetari: “Nuk kena kundërshtim le të rregullohet, po të paktën të na japin shpiat, t’i lemë shpitë të na japin shpi, se ku do i çojmë”.

Qytetari: “Ju lutem për të na dhënë një mundësi ne, të vij të bashkëpunojë me ne. T’i zgjidhim paqësore se fëmijët tonë po na kalojnë në depresion”.

Një pjesë e pronarëve të këtyre shtëpive, pretendojnë se kanë rreth 50 vjet që jetojnë aty. Ndërsa pjesa tjetër ka ardhur në këtë zonë rreth viteve ’89-’90. Një pjesë e shtëpive janë në proces legalizimi që prej vitit 2005./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami