Nuk është ekzagjerim të thuhet se Dr. Howard Tucker ka punuar në mjekësi për një jetë. Jetëgjatësia mesatare për meshkujt në SHBA është 73 vite, ndërsa Tucker ka qenë mjek për 77 vite me radhë. Në Korrik, ai do të mbushë 102 vjeç. Tucker, ka nisur të praktikonte Mjekësinë që në vitin 1947. Libri Guiness i Rekordeve Botërore e ka njohur atë si “Mjeku më i vjetër praktikues.”

Tucker është gjithashtu një shembull i dukshëm i një fenomeni në rritje: Amerikanët i shmangen daljes në pension dhe pavarësisht kësaj, vazhdojnë karrierën e tyre profesionale. Kjo përfshin gjithashtu edhe Presidentin Joe Biden dhe ish-Presidentin Donald Trump që konkurrojnë për President të SHBA.

Redaktori i “CNN Opinion”, Stephanie Griffith pyeti shtatë persona që e kanë kaluar moshën e pensionit pse janë ende në punë dhe mori këto përgjigje: Disa vazhdojnë të punojnë për t’ia dalë mbanë, të tjerët, sepse e duan atë që bëjnë dhe nuk mund ta imagjinojnë të heqin dorë. Dhe disa këmbëngulin se ata janë më të mirë se kurrë në profesionet e tyre të zgjedhura. Ata vazhdojnë të punojnë të lumtur dhe produktiv.

Foto: Dr. Howard Tucker me studentët

Ndërkohë, Dr. Howard Tucker u shpreh se të dalurit në pension që shoqërohet me ndalimin e aktiviteteve të përditshme, është armiku i jetëgjatësisë.

“Studimet kanë treguar se mbajtja e trurit të stimuluar mund të parandalojë shumë dëmtime të lidhura me moshën. Unë e mbaj trurin tim aktiv duke punuar. Është kritike të njohësh veten dhe të kuptosh kufijtë dhe aftësitë e tua, por unë besoj fuqishëm se pensioni është armiku i jetëgjatësisë. Unë besoj se jam më i mençur tani, në kuptimin që jam më pak gjykues dhe më i durueshëm me mjekët dhe studentët e mi që kanë harruar se si të marrin një histori të plotë të pacientit, pjesa më e rëndësishme e ekzaminimit.”

Përveç mësimdhënies në Universitetin Case Western Reserve, Dr. Howard Tucker dha mësim për shumë dekada në Qendrën Mjekësore Bamirëse St. Vincent, e cila u mbyll në Nëntor 2022./tvklan.al