goldsteinModeli i ri ekonomik në Shqipëri duhet të kalojë nga ai i bazuar tek konsumi dhe  remitancat, tek një model që orientohet drejt investimeve dhe eksporteve.

Ky është apeli i dhënë nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ajo foli me optimizëm për të ardhmen e ekonomisë shqiptare, nisur nga fakti që vendi ynë ka burime të mëdha natyrore dhe njerëzore.

Ellen Goldstein – Drejtoresha e BB për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore: “Po flitet shumë për një model të ri ekonomik në Shqipëri. Për të arritur këtë, duhet të zhvillohen reforma në klimën e investimeve, në sektorë si energjia, e drejta e tokës dhe e pronës si dhe burokracia në mjedisin e zhvillimit të biznesit, si dhe duke përmirësuar kualifikimin e forcës punëtore, përfshirë rininë dhe gratë. Tani Shqipëria ka filluar të rimëkëmbet dhe aktualisht ka një rritje ekonomike 2-3 përqind. Shqipëria ka potencial të fuqishëm që të rritet më me shpejtësi dhe nëse do të ndërmarrë reformat e duhura ekonomike, ne do të shohim që rritja ekonomike do të përshpejtohet në dy vitet e ardhshme”. 

Duke folur për nivelin e borxhit publik, Goldstein thotë se ai vazhdon të jetë në nivele të larta, 71 %, por në dy vitet e ardhshme, deri në 2017 -tën, pritshmëritë janë që të ulet në 66 % .

Ky objektiv sipas saj, bazohet tek marrëveshjet e Shqipërisë me FMN, Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian.

Banka Botërore thotë se rreziku për paqëndrueshmëri ekonomike në vend është shumë i vogël, pasi reformat strukturore po sjellin një qëndrueshmëri makroekonomike dhe kjo do të përshpejtojë rritjen ekonomike në vend.

Tv Klan