“Financial Times” – David Clark 

Në këtë vit vendimtar zgjedhjesh në Francë, Gjermani dhe Britani, nuk kishte asnjë gjasë që zgjedhjet parlamentare të qershorit (në Shqipëri) të fitonin të njëjtin nivel vëmendjeje ndërkombëtare. Megjithatë, zhvillimet në Ballkan muajt e ardhshëm mund të rezultojnë po aq vendimtare për të ardhmen e Europës, në mos më shumë.

Dy dekada që prej shpërbërjes së Jugosllavisë dhe konflikteve që pasuan, rajoni është pllakosur nga destabiliteti politik, ekstremizmi në rritje dhe tensioni etnik. Me shtetet kryesore të BE-së të hutuara nga problemet e tyre të brendshme, shumë ekspertë shikojnë një raund të ri luftërash ballkanike si një prej rreziqeve më serioze në zhvillim të kontinentit.

Bosnje Hercegovina është më ashpërsisht e ndarë sot se kurdoherë që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Dejton, në vitin 1995, teksa liderët serbë të Bosnjës lëvizin drejt shkëputjes. Mali i Zi është ende duke marrë veten nga pretendimet se Rusia ka sponsorizuar një tentativë për të rrëzuar qeverinë e tij dhe vrarë kryeministrin në detyrë vitin e kaluar.

Serbia, nën kontrollin e nacionalistëve të vijës së ashpër, mbetet e papajtuar me humbjen e Kosovës dhe ka kërcënuar të përdorë ushtrinë për të mbrojtur serbët atje. Ndërsa, Maqedonia po fiton reputacion si një prej vendeve më të paqëndrueshme të rajonit me katër palë zgjedhje në dy vite, me dështimet për të prodhuar një qeveri funksionale dhe me nacionalistët që sulmuan parlamentin muajin e kaluar në protestë ndaj zgjedhjes së një shqiptari si kryeparlamentar.

Shqipëria vetë është në prag të kthimit, po ashtu, në një shtet të paqeverisshëm, teksa opozita vazhdon bojkotin tre mujor të parlamentit dhe një protestë masive është paralajmëruar për në fundjave. Bojkoti i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare mund të pasojë nëse kryeministri Edi Rama i qeverisë socialiste nuk bie dakord të dorëhiqet teksa zhvillohen zgjedhjet. Opozita pretendon se vetëm një qeveri kujdestare teknokratësh mund të jetë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka arsye të besueshme për ta thënë këtë. Një raport i monitoruesve zgjedhorë të OSBE-së për zgjedhjet lokale të 2015-ës në Shqipëri dha me detaje abuzimet serioze, përfshirë anshmërinë e medias, kërcënimin dhe frikësimin e zgjedhësve dhe keqpërdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet. Një palë zgjedhje me vetëm një pjesëmarrës do të instalonin një qeveri me fuqi të madhe, por pa legjitimitet, duke e ndarë vendin dhe nxjerrë politikën në rrugë.

Partnerët europianë të Shqipërisë kanë arsye shtesë për të qenë të shqetësuar lidhur me drejtimin e vendit. Rama është treguar i shkathët të luajë lojën nacionaliste duke i dhënë pak vëmendje pasojave më të gjera rajonale. Politikanët maqedonas ankohen se ai ndërhyn në punët e brendshme dhe ushqen tensionin etnik, duke inkurajuar minoritetin shqiptar të ngrejë kërkesa të reja. Duke luajtur publikisht me idenë e bashkimit me Kosovën, ai rrezikon të provokojë Serbinë dhe rihapë ‘Kutinë e Pandorës’ të nacionalizmit ballkanas. Nëse ideja e Shqipërisë së Madhe lëshohet pa fre, kërkesat për Serbi të Madhe dhe Kroaci të Madhe me siguri do të ndjekin, sëbashku me perspektivën e një shpërthimi rajonal që do të ishte më i vështirë të përmbahet se luftërat e viteve 1990.

Më pas është roli i Shqipërisë si një narko-shtet në ndërtim. Për një kohë të gjatë vendi ka vepruar si porta kryesore hyrëse për heroinën dhe kokainën në Europë. Së fundmi, Shqipëria është kthyer në prodhuesin më të madh në natyrë të Kanabisit në Europë, me hapësira të mëdha në zonat rurale që i janë kushtuar kultivimit të tij. Prodhimi i kanabisit është rritur pesëfish vitin e kaluar, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit. Tërheqja pas tregtisë së drogës është e dukshme. Me kryeministrin që ka dështuar në krijimin e 300 000 vendeve të reja të punës, të premtuara në zgjedhjet e kaluara, kultivimi i kanabisit ofron shërbime të mëdha financiare për ata pa mundësi të tjera ekonomike. Të ardhurat nga biznesi janë vlerësuar pothuajse sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.

Akuzat për bashkëpunim të nivelit të lartë me kartelet e drogës kanë arritur deri në nivelet e disa njerëzve në qeveri, e madje jo vetëm nga opozita. Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë, i shkarkuar në janar, pretendon se përpjekjet e tij për të shtypur kanabisin ishin bllokuar nga kolegë të tij në qeveri. Zëvendës kryeministri i trajtoi me tallje këto akuza. Ajo që dimë është se strategjia e qeverisë për trajtimin e çështjes ka qenë në një masë të madhe joefektive. Ka pasur dhjetëra arrestime në nivelet e ulëta, por sikundër ka nënvizuar edhe BE-ja, bosët e Mafies që drejtojnë tregtinë mbeten dukshëm të paprekshëm.

Si në shumë pika problematike të botës, një përfitues i madh nga destabiliteti politik, tensioni etnik dhe paligjshmëria në Ballkan është islamizmi i dhunshëm. Megjithëse historikisht të moderuar, disa brenda komuniteteve myslimane në rajon janë tërhequr gjithnjë e më shumë nga mesazhet e ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste. Shumë shqiptarë mendohet se janë pjesë e një kontigjenti të madh myslimanësh nga Ballkani që luftojnë me ISIS-in në Siri. Nëse nuk arrihet shmangia e rrëshqitjes së rajonit në rivalitet dhe rrëmuja nuk përmbyset, grupet xhihadiste kanë gjasa të rrisin fuqinë e tyre.

BE-ja mbetet në dilemë se çfarë të bëjë me shtet me ndasi dhe të keq-qeverisura të Ballkanit Perëndimor. Në njërën anë, anëtarësimi në BE është gjëja më e afërt që rajoni ka për një vizion të unifikuar, të aftë për të tejkaluar linjat sektare. Anëtarësimi po ashtu siguron shtysën e vetme të rëndësishme për reforma politike dhe ekonomike. Hiq këto dhe ngjarjet mund të dalin jashtë kontrolli shumë shpejt. Në anën tjetër, BE-ja tashmë përballet me probleme të rëndësishme me rënien e standardeve demokratiken në disa prej shteteve të reja anëtare. BE-ja nuk mund të përballojë të importojë probleme të tjera politike duke ulur pragun e standardeve për anëtarësim. Kaq shumë gjera kanë shkuar keq në Ballkan vitet e fundit. Liderët europianë duhet ta përdorin influencën që kanë për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të shënojnë në një pikë kthese për mirë, jo në një tjetër fazë drejt rrëshqitjes në trazira.

Shqipëroi për tvklan.al: Fatjon Prroni