Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel propozon që me Turqinë dhe Ukrainën të ndiqet i njëjti model marrëdhënieje që po krijohet me Britaninë e Madhe në procesin e shkëputjes nga unioni.

Në një intervistë për të përditshmen Zyd-dojçe Cajtung, Grabriel hedh idenë që Turqia dhe Ukraina të jetë pjesë e një unioni doganor me Bashkimin Europian, siç po diskutohet edhe me Britaninë e Madhe.

“Nëse arrijmë një marrëveshje me leverdi me Britaninë e Madhe, që përkufizon marrëdhënien e saj me Europën pas Brexit, një model i tillë mund të na shërbejë për vendet e tjera: për Ukrainën por edhe Turqinë”,

shprehet kryediplomati gjerman. Të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, por Gabriel tha se ishte pesimist që kjo të ndodhte për një periudhë afatshkurtër për shkak të problemeve të brendshme të këtyre vendeve.

Veçanërisht për Turqinë, Gabriel tha se Europa duhet të hapë një kapitull të ri.

Marrëdhëniet e Ankarasë me Brukselin janë përkeqësuar, kryesisht pas hakmarrjes brutale të qeverisë ndaj kundërshtarëve politikë pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit të kaluar, ç’ka e rëndon më shumë situatën problematike të të drejtave të njeriut në këtë vend.

Tv Klan